Foto/ Elbasan, gjimnazistët nga Kosova njihen me menaxhimin e qytetit

TIRANË, 15 prill/ATSH/- Një grup gjimnazistësh nga Kosova janë pritur në bashkinë e Elbasanit nga kryetari Qazim Sejdini.

Së bashku me bashkëmoshatarët e tyre të gjimnazeve “Dhaskal Todhri” dhe “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan ata u ndalën në zyrën e kryetarit të bashkisë në një bashkëbisedim mbi qytetin. Në sajë të një projekti mes dy ministrive, 60 nxënës nga Kosova ndodhen në Shqipëri, 11 prej të cilëve në Elbasan.

Ata janë nga Suhareka dhe Mitrovica dhe ndodhen në Shqipëri për të shkëmbyer eksperiencat me moshatarët e tyre. Po kështu, ata do të zhvillojnë procesin mësimor për një javë në Shqipëri ndërkohë që do të njihen me qytetet pritëse dhe jo vetëm.

Nxënësit shoqëroheshin nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale, Alqi Çabiri dhe drejtorët e dy gjimnazeve Ermir Çela dhe Valentina Leka.

Me 12 vite si kryetar i bashkisë së Elbasanit, Sejdini foli për një qytet i cili zhvillohet çdo ditë, pavarësisht pengesave e vështirësive, që ndonjëherë hasen rrugës.

Vendosja e kamerave të sigurisë në shkolla, sipas drejtuesve, ka qenë një vendim shumë i mirë, i cili u ka ardhur në ndihmë maksimalisht.

Bashkia e Elbasanit është e para bashki në vend e cila ka përfunduar vendosjen e kamerave në kopshte dhe shkolla, duke i dhënë rëndësi maksimale sigurisë së fëmijëve. Nxënësit nga Kosova janë akomoduar në familjet e bashkëmoshatarëve të tyre shqiptarë.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.