FOTO/ “Dita e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare” në Galicia, Spanjë

TIRANË, 15 prill /ATSH/ – Shkolla e Konservimit dhe Restaurimit të Pasurive Kulturore të Galicisë (Escola Superior de Conservación e Restauración de BBCC de Galicia), Spanjë, organizoi “Ditën e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare”, në kuadër të projekt Erasmus + KA107, ku partner është edhe Shqipëria.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe DRKK Vlorë, krahas Institutit të Arkeologjisë së Tiranës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës ”Gani Strazimiri”.

Drejtori i DRKK Vlorë Orgest Feimi, Përgjegjësi i Sektorit të Parqeve Arkeologjike Kriledjan Çipa, Përgjegjësi i Sektorit të Artit, Arkitekturës dhe Arkeologjis Rineldi Xhelilaj dhe koordinatori i projektit Neritan Mehmetaj, morrën pjesë me kumtesën: “Cultural Heritage Management in Southern Albania (Tangible and Intangible Heritage)”.

Përveç diskutimeve rreth problematikave dhe arritjeve të rëndësishme në fushën e administrimit të trashëgimisë kulturore, një pikë e rëndësishme ishte dhe bashkëpunimi në të ardhmen me kolegë nga Escola Superior de Conservación e Restauración de BBCC de Galicia, në fushën e studimit, konservimit dhe restaurimit të siteve arkeologjike, në qarkun e Vlorës.

Bashkëpunimi më i afërt është projekti kërkimor shkencor “Lepenica, 2019: Dokumentimi dhe vëzhgimi arkeologjik në një strehë me art shkëmbor parahistorik (Shpella e Shkruar, Lepenicë).

Në mbarim të kësaj faze të parë studimesh të artit shkëmbor në Lepenicë, pas vlerësimit nga specialistët, hapi i radhës parashikohet të jetë ndërhyrja për konservimin dhe mbrojtjen e pikturës shkëmbore të dëmtuar ndër vite nga akte vandale. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.