Ekonomia po rrit kapacitetet prodhuese në industri, shërbime dhe ndërtim

TIRANË, 15 prill /ATSH/- Rritja e ekonomisë shqiptare, po udhëhiqet nga rritja e shfrytëzimit  të kapaciteteve prodhuese në shumicën e sektorëve.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, për tremujorin e parë të këtij viti norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri u rrit me 1,3 pikë përqindje dhe arriti në 77,1%.

Sipas BSH-së, rritje u shënua edhe në sektorin e ndërtimit, ku sipërmarrësit rritën shfrytëzimin e kapaciteteve me afro 3,6% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Me tendencën rritëse të tremujorëve të fundit, ky tregues është ngjitur mbi mesataren historike të sektorit, në 66,4%, citon raporti i BSH-së.

Sektori i shërbimeve është gjithashtu në rritje dhe mban normën më të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi. ajo rezultoi rreth 78,9%, afro 8% mbi nivelin e shënuar në tremujorin e mëparshëm. Kjo normë qëndron mbi nivelin e shënuar në të njëjtën periudhë një vit më pare dhe ndjeshëm mbi mesataren historike.

Kapacitetet e prodhimit janë rritur edhe në sektorin e tregtisë. Performanca pozitive e treguesve ekonomikë dhe veçanërisht turizmit, e shenjon këtë tregues rreth 1,3% mbi nivelin e shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare është drejt mbylljes së hendekut negativ të prodhimit, çka nënkupton një shfrytëzim të plotë të kapaciteteve të rritjes. /e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.