Duka: Stadiumi Kombëtar dhe shtëpia e futbollit shumë shpejt gati

TIRANË, 15 prill /ATSH/ – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, në fjalën e tij në Asamblenë e Zakonshme, deklaroi se stadiumi Kombëtar dhe shtëpia e futbollit janë dy nga investimet më të rëndësishme që do të jenë shumë shpejt gati.

Sa i përket bilancit të arritjeve dhe rezultateve, kreu i FSHF-së e pranoi se Kombëtarja nuk dha atë që të gjithë prisnim në Ligën e Kombeve.

“Kemi bërë shumë gjëra të mira në infrastrukturë, stadiumi kombëtar dhe shtëpia e futbollit janë dy investimet më të rëndësishme që do të jenë shumë shpejt gati. Në Nations League, Shqipëria nuk mori rezultatet e pritshme, që çoi dhe në shkarkimin e trajnerit të kombëtares. Në nivel politik jemi përfaqësuar më mirë në vitin 2018. Janë rritur të ardhurat nga biletat, sponsorët dhe projektet”, u shpreh ai.

Duka u shpreh gjithashtu se, FSHF do të jetë strikt sa i përket kritereve të licencimit, sidomos për impiantet e futbollit.

“Gjatë garave nuk i kemi shpëtuar dhunës apo fiksimit të rezultateve. Duhen hapa cilësorë që hidhen nëse lëmë mënjanë interesat e vogla dhe bashkëpunojmë me të gjithë aktorët. Është i nevojshëm të rishikohet sistemi i licencimit, mbyllja e dy syve, siç ka ndodhur, nuk do të ndodhë më kurrë. Nuk do të ketë impiante të papërshtatshme për të luajtur, nuk do të tolerojmë më diçka të tillë. Dhuna dëmton rëndë produktin tonë, lufta ndaj këtij fenomeni kërkon bashkëpunim më të madh me të gjithë”, tha Duka.

Një pikë e rëndësishme e prekur nga Duka ishte dhe bashkëpunimi me institucionet.

“Fiksimi i rezultateve të ndeshjeve nuk duhet të ekzistojë. Përpjekjet e FSHF-së nuk kanë gjetur mbështetje. Tryeza me qeverinë na jep shpresë për përmirësimin e futbollit, jemi të qartë se ku duam të arrijmë”, theksoi ai.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.