Bypass-i i Shkodrës, projekt i rëndësishëm për infrastrukturën dhe transportin

TIRANË, 15 prill/ATSH/- Punimet në bypass-in perëndimor Shkodër, loti 1 dhe 2, dy vepra infrastrukturore shumë të rëndësishme po ecin me ritme të shpejta.

Drejtoresha e Autoritetit Rrugor të Shqipërisë, Sonia Qato dhe inxhinierët e ARRSH-së inspektuan sot ecurinë e punimeve në këtë bypass.

“Bypass i Shkodrës loti 1, është një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën dhe transportin, i cili anashkalon kalimin përmes qytetit duke lidhur aksin Tiranë-Shkodër me aksin Shkodër-Hani i Hotit. Gjatë inspektimit konstatuam se puna vazhdon në të dyja lotet, në loti 1 ka përfunduar ndërtimi i trupit të rrugës, ka përfunduar vendosja e bordurave të trotuarit, ndarëseve me korsinë e biçikletave, si dhe bordurave të trafikndarëses”, – theksoi Qato.

Sipas saj, është drejt përfundimit veshja e trotuareve me gurë dekorativë dhe asfaltimi i korsisë së biçikletave.

“Në lotin 2 janë realizuar gërmime me makineri përfshirë dhe transportin, si dhe mbushje të trupit të rrugës me zhavorr”, – tha Qato.

Ajo bëri të ditur se ARRSH do të vijojë të punojë konform tërë normave dhe standardeve për të ndjekur ecurinë e projektit sipas kontratës dhe për të garantuar siguri maksimale për përdoruesit e rrugës.

Gjatë inspektimeve ishte i pranishëm edhe prefekti i qarkut Shkodër, Çesk Millja, i cili mori impenjim maksimal për zgjidhjen e problematikave që kanë mbajtur peng deri më sot këto dy projekte. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.