Busti i Skënderbeut vendoset në komunën arbëreshe Portocannone

TIRANË, 15 prill /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla kanë marrë pjesë sot në ceremoninë e vendosjes së bustit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në bashkinë e Portocannone, njëra prej katër komunave arbëreshe të Rajonit të Molises.

Kryetari i komunave arbëreshe të Rajonit të Molises të Italisë Donato Toma ftoi Ruçin të zbulonin bustin. Kryetari i Kuvendit falënderoi kryetarin e komunave arbëreshe të Rajonit të Molises të Italisë, Donato Toma si dhe të pranishmit që merrnin pjesë.

“Skënderbeu na ka lidhur me kristianizmin me qytetërimin europian. Ta gëzoni bustin e heroit tonë kombëtar”, tha Ruçi.

“Festë e paharrueshme sot në bashkinë e Portocannone, njëra prej katër komunave arbëreshe të Rajonit të Molises, për Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe për flamurin kuq e zi”, tha kryetari i grupit parlamentar socialist Balla.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ndodhen për një vizitë dyditore zyrtare në Itali, me ftesë të Presidentit të Dhomës së Deputetëve, Fico dhe Presidentes së Senatit, Casellati. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.