Berat, 600 pemë të reja në zonën pranë qendrës “Lira”

TIRANË, 15 prill/ATSH/ – Në vijim të aksionit për mbjelljen e pemëve, punonjësit e Drejtorisë së Bujqësisë dhe të Gjelbërimit të bashkisë së Beratit, janë duke punuar në zonën pranë qendrës “Lira”.

Ishte i pranishëm sot për të ndjekur zhvillimin e këtij aksioni edhe kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Rajmond Abazi, u shpreh se “shtrimi me asfalt i rrugës “Osumi”, si dhe ndërhyrjet e tjera që bashkia e Beratit ka bërë në këtë zonë, e kanë ndryshuar thuajse tërësisht atë”.

“Ka qenë një zonë e mbushur me mbetje inerte, plehra e gjithçka tjetër. Ndërhyrja e bashkisë bëri të mundur pastrimin e saj, sistemimin dhe tashmë jemi në fazën e mbjelljes së pemëve, duke krijuar një mjedis mbrojtjeje nga erozioni, por edhe çlodhës për banorët e kësaj zone”, – theksoi Abazi.

Ai bëri të ditur se “këtu janë planifikuar të mbillen rreth 600 pemë, ndërsa do të vazhdohet me të njëjtin ritëm edhe në zona të tjera”.

Në funksion të shtimit të hapësirave të gjelbra, bashkia e Beratit dhe Drejtoria e Bujqësisë dhe e Gjelbërimit, në bashkëpunim me institucionin e Prefekturës të Qarkut Berat, si dhe të disa institucioneve të tjera vendore, kanë planifikuar mbjelljen e rreth 4500 rrënjë fidanëve pishe në ato zona ku ato janë djegur ose dëmtuar. /k.s/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.