BE akordon 1.4 milionë euro për anijet e peshkimit

TIRANË, 15 prill /ATSH/ – Në kuadër të projektit IPA, Bashkimi Europian do të investojë rreth 1.4 milionë euro në mbështetje të anijeve të peshkimit.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo u shpreh për ATSH-në, se “projekti tashmë ka filluar dhe konkretisht po adreson mbështetje në vlerësimin e nevojave që kanë anijet e peshkimit në vendin tonë, për investime në motorë, për frigoriferët në bordin e anijeve të peshkimit apo për pajisjet elektronike”.

Ndërkohë që qeveria shqiptare po rrit fokusin në krijimin e mundësive që shërbimet e riparimit të anijeve të peshkimit të bëhen në portet tona.

“Në Durrës, Vlorë dhe Shëngjin subjektet private do të investojnë për ngritjen e kantiereve të vogla që i shërbejnë riparimit të anijeve”, – thotë zv.ministri Kristo.

Sipas tij, riparimi i anijeve të peshkimit në pjesën më të madhe bëhet në Itali. Vendi ynë numëron 450 anije peshkimi dhe po mendohet që ky sektor, i cili është në zhvillim e sipër, të mbështetet edhe me fonde të Bashkimit Europian, për modernizimin e flotës. e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.