Gjonaj: Shkelësit e ligjit përpara Drejtësisë, protestat jo në interes të qytetarëve

TIRANË, 14 prill /ATSH/- Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se, “të gjithë ata persona që në forma të ndryshme kanë nxitur ose kanë kryer akte të dhunës në protestën e djeshme duhet të marrin dënimin sipas parashikimit të ligjit”.

Në një konferencë për mediet Gjonaj tha se 8 punonjës të policisë janë dërguar për trajtim në spital si pasojë e djegies nga lëndët plasëse të hedhura nga protestuesit. “Protesta e djeshme e organizuar nga partitë politike është dëshmi e dhunës ndaj institucioneve shtetërore dhe e dënueshme nga ligji”, theksoi ajo.

“E drejta e protestës sidomos kur është nga vetë qytetarët është një element i demokracisë së një shteti, por kur protestat bëhen nga partitë politikë për luftën për pushtet, protesta është e pajustifikueshme dhe nuk mund të shërbejë si një mjet që zëvendëson institucionet demokratike. Dhuna është e papranueshme dhe e pa tolerueshme”, deklaroj Gjonaj.

“Shqiptarët panë dhe kuptuan dje se ashtu sikurse edhe protestat e muajve të fundit, nuk janë protesta për interes të qytetarëve por protesta me akte dhune nga lidershipi i opozitës për shkak të panikut nga reforma në drejtësi dhe nga institucionet e reja që po ngrihen. Jemi të vendosur që të mos luhet me fatin e Shqipërisë duke çuar përpara reformën në drejtësi”- tha ajo.

“Qëllimi i tyre tashmë është i ditur, kërkohet medoemos destabilizimi i vendit, sidomos në këtë periudhë kur monitorohemi ngushtë nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtarë të BE-së, për marrjen e vendimit për çeljen e negociatave”, vuri në dukje ministrja e Drejtësisë, sipas së cilës, është e qartë për të gjithë se në këto akte dhune të paligjshme, dëmtohet Shqipëria duke e penguar që të eci përpara në rrugën e integrimit evropian.

“Ndaj nxisim e mbështesim organet ligjzbatuese, së bashku me organet e drejtësisë për të hetuar në mënyrë të gjithanshme dhe të pavarur dhe për të dërguar përpara drejtësisë të gjithë përgjegjësit e kësaj dhune të pajustifikueshme dhe të papranueshme, për të bërë drejtësi për policët e dhunuar”, theksoi Gjonaj.

“Këto shfaqje të shëmtuara të dhunës në protestat e organizuara nga partitë politike e dëmtojnë Shqipërinë edhe në sy të shteteve të tjera, por pavarësisht kësaj, jemi të vendosur që të mos lejojmë që të luhet me fatin e qytetarëve shqiptarë në rrugën evropiane, duke çuar përpara pastrimin e drejtësisë nga të korruptuarit, në rrugën pa kthim e as ndalesë në ndërtimin e një Shqipërie ku drejtësia, nuk blihet dhe nuk shitet dhe i trajton të gjithë shtetasit e saj njësoj”, përfundoi ajo. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.