LONDËR – Një grup parlamentarësh britanikë kërkojnë ekstradimin e Assange në Suedi

LONDËR, 13 prill /ATSH-AFP/ – Mbi 70 parlamentarë britanikë i drejtuan një letër qeverisë me kërkesën për të bërë gjithçka të mundur për të mundësuar ekstradimin e Julian Assange në Suedi, nëse e kërkojnë autoritetet suedeze.

Themeluesi i WikiLeaks u arrestua të enjten në mëngjes në ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku ai kishte kërkuar azil shtatë vite më parë për t’i shpëtuar një mandatarresti britanik me akuzat për përdhunim dhe ngacmim seksual në Suedi, akuza të cilat ai i ka mohuar, një çështje që është mbyllur, por që pala akuzuese kërkon një rishqyrtim të dosjes.

Australiani 47 vjeç u arrestua gjithashtu në lidhje me një kërkesë ekstradimi e ardhuar nga SHBA-ja, e cila e konsideron atë si një kërcënim për sigurinë e saj dhe kërkon ta vërë para drejtësisë. Parlamentarët kërkojnë që ministri i Brendshëm britanik, Sajid Javid t’i japë përparësi mundësisë së një kërkese ekstradimi drejt Suedisë.

‘’Ne po ju drejtohemi me shkrim për t’ju kërkuar të bëni gjithçka që mundemi për të mbështetur një veprim që do të garantojë që Julian Assange të mund të ekstradohet në Suedi në rast se Suedia bën një kërkesë ekstradimi’’, shkruajnë deputetët në një letër drejtuar ministrit dhe të publikuar në Twitter nga deputetja laburiste Stella Creasy. / /v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.