Dy binjaket e lindura në spitalin e Dibrës, përfitojnë çekun e bebes

TIRANË, 13 prill/ATSH/- Adea dhe Andra janë dy binjaket e para për këtë vit që kanë ardhur në jetë në spitalin rajonal të Dibrës dhe që kanë përfituar bonusin 80,000 lekë secila.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, shprehet se “163 fëmijë të lindur në spitalin e Dibrës gjatë 3 muajve të parë 2019 kanë përfituar çekun e bebes nga 40,000-120,000 lekë”.

Sipas ministres, bonusi i bebes, politika e re sociale e Qeverisë mbështet rreth 30 mijë familje në vit.

Bonusi i bebes u jep familjeve 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 për fëmijën e dytë dhe 120,000 për fëmijën e tretë.

Prindërit e fëmijëve të sapolindur e tërheqin çekin e bebes në maternitetin ku ndodhen duke kryer regjistrimin e menjëhershëm të fëmijës, duke shmangur të gjitha vonesat dhe burokracitë që kanë ndodhur më parë./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.