Bulqizë/ USAID financon ndërtimin e Qendrës Rinore

TIRANË, 13 prill /ATSH – I. Vata/ – Bashkia Bulqizë deklaroi sot se të rinjtë do të kenë së shpejti një Qendër Rinore të qytetit me kushte moderne e standarde europane, financuar nga USAID.

Kryetari i bashkisë Bulqizë ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të USAID, ku mori pjesë nënkryetari i bashkisë, Shpëtim Rama, drejtuesi i Njësisë së Integrimit Europian Edison Balla që ka shërbyer dhe punuar si pikë kontakti dhe përfaqësues i bashkisë për këtë projekt me USAID, si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Leonard Daçi.

“Pas një pune dhe angazhimi të gjatë, me bashkëpunëtorët dhe miqtë tanë të mirë të USAID – US Agency for International Development kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë, se kemi rënë dakord dhe është miratuar fondi për ndërtimin e Qendrës Rinore të Bulqizës. Një financim ky i USAID. Bashkia Bulqizë, do të jetë tashmë nga të paktat bashkitë e vendit që do të ketë një Qendër dedikuar të rinjve”, shprehet bashkia.

Po ashtu, bëhet e ditur se brenda Qendrës Rinore të Bulqizës, biblioteka do të ketë kushte sipas standardeve më të mira europiane.

“Një qendër me standarde evropiane dhe bashkëkohore. Por nuk mbaron me kaq, qendra do të ketë brenda edhe bibliotekën aktuale të bashkisë, që do të rinovohet e tëra nga fillimi dhe do të pasurohet me literaturë të re. Në ditë në vijim kur të nisin edhe punimet, do t’ju mbajmë të informuar për çdo zhvillim të ri”, shprehet bashkia.

e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.