Soreca: Institucionet e pavarura, rol kyç për qeverisjen demokratike

TIRANË, 12 prill /ATSH/ – Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka kërkuar sot rezultate më të prekshme në punën e institucioneve të pavarura.

Në takimin me drejtuesit e 21 institucioneve të pavarura, të cilat raportojnë në Kuvendin e Shqipërisë, Soreca u shpreh se, “tashmë është urgjente që të kemi rezultate më të prekshme dhe të dukshme. Puna e këtyre institucioneve prek çdo element të strukturës shtetërore”.

“Institucionet e pavarura janë kyçe për qeverisjen demokratike, por edhe mishërimin e vlerave të BE si ruajtja e balancës së pushteteve, por edhe një sistem ligjor i drejtë dhe i pavarur”, tha Soreca.

Ambasadori Soreca theksoi mbështetjen e BE për punën e institucioneve të pavarura që luajnë një rol kyç për çdo shtet.

“BE ka mirëpritur mekanizmin e monitorimit parlamentar, por po ashtu kemi parë dhe hapat që janë ndërmarrë në kuadër të këtij mekanizmi në të shkuarën”, theksoi Soreca.

Soreca theksoi se, “është arritur progres në disa fusha, por ka ende sfida për t’u trajtuar. Prej disa vitesh në raportet vjetore të KE është theksuar se Shqipëria ka nevojë për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të pavarura. KE ka rekomanduar dhe mbështetur fuqizimin e pavarësisë së institucioneve tuaja. BE kërkon që këto rezultate të jenë të vazhdueshme”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.