“Shqipëri, udhëto në mënyrën tënde”, shkëmbim eksperience me Abruzzo-n

TIRANË, 12 prill /ATSH/ – Agjencia Kombëtare e Turizmit ishte pjesë e delegacionit shqiptar në vizitën studimore që u zhvillua në rajonin e Abruzzos, Itali.

“Vizita Studimore” u zhvillua në kuadër të projektit “Shqipëri, Udhëto në Mënyrën Tënde: Menaxhimi Multi – Aktor i Integruar i Turizmit Rural dhe Kulturor në Qarqet e Gjirokastrës dhe Beratit” – (TREC).

Gjatë vizitës u mundësua shkëmbimi i eksperiencave dhe praktikave të mira për delegacionin shqiptar përbërë nga anëtarët e konsorciumit Pro Përmet, Pro Skrapar, Pro Berat, Pro Gjirokastër dhe përfaqësuesve të Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Kjo “Vizitë Studimore” u zhvillua në shumë realitete prodhuese të zonës, si dhe tek ofruesit e shërbimeve turistike, po ashtu u vizituan zyrat e disa enteve publike dhe agjencive që punojnë për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.

Projekti ka si qëllim përmirësimin e mëtejshëm të sektorit turistik në bashkitë Gjirokastër, Përmet, Skrapar dhe Berat. Ky projekt do të synojë rritjen e kapaciteteve të aktorëve të ndryshëm publik dhe privat të përfshirë në sektorin e turizmit, fuqizimin dhe përmirësimin e kushteve në zyrat turistike të bashkive të përfshira në projekt dhe realizimin e eventeve në nivel rajonal, duke rritur vizibilitetin dhe shkëmbimin e eksperiencave brenda dhe jashtë vendit.

Ky projekt përbën fillimin e një bashkëpunimi dhe mbështetje afatgjatë për fuqizimin e mëtejshëm të sektorit të turizmit në mënyrë të integruar me përfshirjen e të gjithë aktorëve lokalë dhe krijimin e sinergjive të reja midis bashkive të përfshira. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.