Parqet arkeologjike, 19881 turistë në tre muajt e parë të 2019

TIRANË, 12 prill /ATSH/ – Parqet arkeologjike në vendin tonë kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj dhe vendas gjatë tremujorit të parë të 2019. Këto parqe në Shqipëri kanë “rrëmbyer” një shifër mbresëlënëse vizitorësh gjatë periudhës janar-mars 2019 me 19 881 vizitorë.

Duke e krahasuar këtë shifër me të njëjtën periudhë të 2016 që këto parqe kanë pritur 5800 vizitorë, për të njëjtën periudhë në 2019 ka një rritje me +237% më shumë vizitorë.

Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj., ndërsa nga kalatë përmendim kalanë e Gjirokastrës, atë të Lëkurësit në Sarandë, kalanë e Krujës, të Beratit, Elbasanit, kalaja e Petrelës në Tiranë, ajo e Ali Pashës në Tepelenë, kalaja e Rozafës në Shkodër etj. Ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeun Etnografik në Berat, muzetë arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeun e armëve dhe atë Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj.

Tashmë këto parqe çdo vit e më shumë po mirëpresin vizitorë të huaj dhe vendas pasi Shqipëria ka një potencial turistik gjithëvjetor dhe përgjatë kësaj periudhe këto vende mbeten atraksionet turistike më të preferuara.

Këto parqe kanë interes pasi tregojnë historinë dhe kulturën si dhe janë dëshmi e gjurmëve që ka lënë historia në to. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.