“Interi” interes për Granit Xhakën

TIRANË, 12 prill /ATSH/ – Mediet italiane kanë zbuluar detaje të reja nga udhëtimi në Londër i Drejtorit Sportiv të “Interit”, Piero Ausilio, i cili ndoqi nga afër sfidën mes Tottenhamit dhe Manchester City-t.

Kështu përveç mesfushorit turko-gjerman të “City-t”, Yilkay Gundogan, i cili është në krye të listës së dëshirave, Ausilio ka pasur edhe një takim me drejtues të “Arsenalit”.

“Njeriu i merkatos” në shtëpinë zikaltër ka kërkuar informacione për mesfushorin Granit Xhaka, i cili luan te “Arsenali” që prej vitit 2016 dhe është shndërruar në një titullar fiks.

Sipas “Corriere Dello Sport”, drejtuesit e “Interit” vlerësojnë Xhakën për moshën e tij, pasi është vetëm 26 vjeç, por edhe për eksperiencën e madhe ndërkombëtare.

Krahas Xhakës, “Interi” ndjek me interes edhe mesfushorin e “Cagliarit”, Nicolo Barrella dhe atë të “Romës”, Lorenzo Pellegrini, por të dy këta nuk kanë eksperiencën e shqiptarit që përfaqëson ngjyrat e Zvicrës.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.