Haradinaj: I rëndësishëm shkëmbimi i përvojave mes nxënësve kosovarë dhe gjermanë

PRISHTINË, 12 prill /ATSH/ – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot disa nxënës gjermanë dhe kosovarë, nga programi i këmbimit të nxënësve dhe studentëve me organizatën gjermane “Education Unlimited a.V” drejtuar nga Kerstin Zielosko Labonte.

Haradinaj, u shpreh i lumtur për mundësinë që kjo organizatë po iu jep nxënësve dhe studentëve, por edhe mësimdhënësve, për të këmbyer njohuri dhe përvoja të reja.

“Është fakt i mirë që projekti i nisur në bazë vullnetare, nga i cili kanë përfituar shumë nxënës nga vende të ndryshme të Kosovës, por nga viti i kaluar edhe 15 studentë dhe 4 mësimdhënës”, – tha Haradinaj.

Qeveria e Kosovës, një vit më parë, ka nënshkruar edhe memorandum mirëkuptimi në fushën e arsimit me organizatën “Education Unlimited a.V”.

Haradinaj, duke përgëzuar nxënësit për përvojat dhe njohuritë e marra në shtetet përkatëse, tha se, falë këtij programi, janë pranuar nxënës gjermanë, të cilët e kanë vizituar Kosovën, për të parë një Kosovë ndryshe dhe europiane.

Haradinaj u shpreh se një program i tillë ka mundësuar vizitat e fëmijëve kosovarë në Parlamentin Europian, përfaqësuesit e të cilit i kanë dhënë përkrahje programit.

“Falenderoj të gjithë ato familje dhe vullnetarë nga Republika e Baden-Württemberg, të cilët kanë strehuar dhe ndihmuar fëmijët kosovarë gjatë qëndrimit të tyre në Gjermani, por edhe familjet kosovare që kanë strehuar dhe ndihmuar fëmijët gjermanë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, në programet shkëmbyese që janë aplikuar deri më tani”, – theksoi Kryeministri Haradinaj. /e.malaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.