FOKUS – Kalifornia përfshihet nga një dhunë e pakuptimtë

LOS ANXHELES, 12 prill /ATSH-DPA/ – Katër persona u qëlluan në Watts mbrëmjen e së enjtes pasi karvani i makinave të pranishme në ceremoninë mortore e reperit të njohur, Nipsey Hussle kishte kaluar në zonën ku ky i fundit ishte vrarë.

Vdekja e reperit ishte ngjarja e fundit e dhunshme në Los Anxheles.

Shefi i policisë së Los Anxhelesit, Michel Moore tha se tre burra dhe një grua ishin qëlluar pranë një kryqëzimi rruge në Main Street. Një prej viktimave më vonë ndërroi jetë.

“Duhet ta ndalojmë këtë dhunë të pakuptimtë”, shkroi Moore në Twitter.

Të shtënat ndodhën pas ceremonisë për reperin e vrarë në Watts dhe nuk ka të dhëna që e lidhin këtë ngjarje të dhunshme me këtë ceremoni.    

Vrasja e Hussle më 31 mars jashtë dyqanit të tij të veshjeve, u bë lajm kryesor në mediet ndërkombëtare.

Moore dhe udhëheqës të tjerë të komunitetit thanë se vdekja e tij vjen si pasojë e rritjes së numrit të vrasjeve në atë zonë.

Në javën që pasoi vdekjen e Hussle, 11 persona u vranë në Los Anxheles, më shumë se dyfishi i mesatares javore të vitit të kaluar.

Zyrtarët e përshkruajnë ngjarjen e fundit si një hakmarrje të mundshme midis bandave rivale.

Natën që Hussle u qëllua , Moore shkroi në Twitter se vrasja ishte ”humbja më e fundit në trazirën në rritje të dhunës”.

”Që nga e diela e kaluar, 26 viktima janë qëlluar mes të cilëve 10 të vrarë – kjo ka copëtuar 36 familje. Ne do të punojmë fort me komunitetin tonë për t’i dhënë fund këtyre vdekjeve të pakuptimta”, theksoi ai.

Nuk ka pasur njoftime për dhunë të lidhura me ngjarjen Hussle, që nxori në rrugët e Los Anxhelesit qindra persona./ /esko/ a.jor.     

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.