ARKEOLOGJI – Greqia hap për publikun pasuritë e saj nëndetare

ATHINË, 12 prill /ATSH-AFP/ – Anija antike e mbytur e Peristerias, që ndodhet në brigjet e ishullit Aloniso në Detin Egje, do të jetë një prej zonave të para nëndetare që shumë shpejt do të hapen për publikun, njoftoi ministria greke e Kulturës.

“Objektivi është që të bëhen të vizitueshme zona të rëndësishme nëndetare në dy vitet e ardhshme për të ndihmuar edhe ekonominë e ishujve fqinje”, thuhet në këtë komunikatë të ministrisë.

Anija e Peristerias, që i përkon periudhës klasike të Antikitetit (shekulli V para erës sonë), mban emrin e ishullit të pabanuar pranë Alonisos ku u zbulua para dyzet vitesh nga një peshkatar, në arkipelagun të Sporadeve në qendër të Detit Egje.

Dhjetëra anije antike të mbytura gjenden në ujërat greke, rreth 60 prej tyre janë zbuluar pranë arkipelagut Furni në Detin Egje.

Duke iu trembur vjedhjeve të mundshme dhe problemeve të organizimit, Greqia deri tani nuk ishte përpjekur të përfitonte nga kjo trashëgimi duke e hapur për publikun. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.