Anisa 9-vjeçare nxirret nga situata e rrugës, regjistrohet në shkollë

TIRANË, 12 prill /ATSH/ – 156 fëmijë janë identifikuar në situatë rruge gjatë 3 muajve të parë të vitit 2019, të cilët po menaxhohen nga ekipet e njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve në territor.

Rasti i fundit është i Anisës e cila është identifikuar në situatë rruge bashkë me nënën e saj dhe sot falë punës së njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve është regjistruar në shkollë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se Anisa u identifikua në situatë rruge bashkë me nënën e saj. “Sot falë punës së njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, 9-vjeçarja është regjistruar në shkollë dhe u është siguruar banesë dhe mbështeten në vazhdimësi, duke dalë një herë e mirë nga situata e rrugës”, theksoi ministrja. 

”Si Anisa, janë 156 fëmijë të identifikuar në situatë rruge gjatë 3 muajve të parë 2019, të cilët po menaxhohen nga ekipet e Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve në territor”, vuri në dukje Manastirliu. 

Fëmijët në situate rruge mbeten problematikë, ndërsa po punohet për eliminimin e këtij fenomeni. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.