Ancelotti: Besojmë tek përmbysja ndaj “Arsenalit”

TIRANË, 12 prill /ATSH/ – “Napoli” humbi 2-0 në “Emirates Stadium” përballë “Arsenalit”, duke qenë tashmë thuajse me një këmbë jashtë Europa League, trofe të cilin shpreson ta fitojë për të shpëtuar sezonin.

Megjithatë Carlo Ancelotti mbetet optimist dhe thekson se ka bindjen që skuadra e tij mund të përmbysë humbjen në “San Paolo” dhe të kualifikohet për në gjysmëfinale.

“E nisëm pak keq ndeshjen dhe pësuam dy gola që na e vështirësuan punën, por më pas arritëm të futemi në lojë dhe të krijojmë mundësi të mira shënimi. Pikërisht ato raste që krijuam, na dhanë bindjen që ‘Arsenali’ nuk është i padepërtueshëm, ndaj shpresoj që të kthejmë gjithçka në favorin tonë, në ndeshjen e kthimit”, tha Ancelotti.

/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.