Soreca: Miratimi i akteve për financimet politike, në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR

TIRANË, 10 prill /ATSH – I. Vata/ – Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka përshëndetur aktet e miratuara sot nga KQZ për financimin e partive politike, si dhe i ka konsideruar një hap në drejtimin e duhur, për sa i përket rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Ambasadori i BE-së Soreca u shpreh se “tre udhëzimet e miratuara sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfaqësojnë zbatimin proaktiv të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it lidhur me financimin e partive politike”.

“Miratimi i këtyre akteve nënligjore përfaqëson hapin e parë pozitiv në drejtimin e duhur”, theksoi ai.

‏Më tej ambasadori Soreca fton të gjitha palët politike për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

“Tani, ato duhet të pasohen me një përpjekje më të gjerë nga ana e partive politike për të garantuar zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, që në disa raste nuk kërkojnë amendamente ligjore të kodit zgjedhor dhe mund të çohen përpara nga qeveria në bazë të kompetencave të saj”, – tha në vijim Soreca.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.