Rama dekorohet nga Princi i Monakos me medaljen e Komandantit të Urdhrit të Shën Karlit

TIRANË, 11 prill /ATSH – I. Vata/ – Gjatë vizitës zyrtare në Monako, Kryeministri Edi Rama është dekoruar nga Princi Alberti II me medaljen e Komandantit të Urdhrit të Shën Karlit të Principatës së Monakos, medalja më e lartë e vendit me të cilën janë vlerësuar personalitete të larta të politikës botërore.

Me ftesë të princit Princit Alberti II, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Principatën e Monakos.

Në një ceremoni të veçantë delegacioni shqiptar u prit në Pallatin Mbretëror nga Princi Alberti II dhe kreu i qeverisë së Monakos, Serge Telle.

Në diskutimet mes dy delegacioneve, Kryeministri Rama dhe Princi Alberti II, vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm politik dhe ekonomik mes dy vendeve, ku u ndalën në veçanti në fushën e mjedisit, turizmit dhe marinës, si dhe theksuan angazhimin e tyre për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim në të ardhmen.

Një moment i veçantë i kësaj vizite ishte ai kur Princi Albert II dekoroi Kryeministrin Edi Rama me medaljen e Komandantit të Urdhrit të Shën Karlit të Principatës së Monakos, dekorata më e lartë e Principatës së Monakos.

Ky urdhër është themeluar nga paraardhësi i Albertit II, Princi Karli III më 15 mars të vitit 1858.

Dekorata jepet për motive të veçanta në forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe angazhimin e Kryeministrit Edi Rama në mbrojtjen dhe promovimin si faktor zhvillues për Mesdheun, të bregdetit dhe zonave detare.

Në përmjet kësaj dekorate, Kryeministri i Shqipërisë u vlerësua si promovues i artit dhe personalitetit i kulturës. Me ketë titull të lartë janë nderuar personalitete të njohura si, dy ish-presidentët francezë Fransua Holand dhe Nicolas Sarkozy, ish-presidenti i Kroacisë Stjepan Mesić, ish-presidenti italian Carlo Campi dhe personalitete të tjera.

Një tjetër moment me rëndësi i kësaj vizite ishte edhe prezantimi i resurseve të Shqipërisë në një tryezë të përbashkët pune, ku fokusi ishte tek investimet në turizmin masiv.

Në takim Kryeministri Rama u shpreh se “me kryeministrin tuaj folëm rreth potencialeve të këtij bashkëpunimi dhe mund t’ju them menjëherë që jemi dakordësuar për të nisur një udhëtim të përbashkët, duke nisur nga klubi i jahteve të Monakos në Shqipëri dhe për të ndërtuar një projekt, një projekt flamur, për të treguar se në Shqipëri nuk janë të mundura vetëm investimet në turizmin masiv, por dhe investimet inteligjente, që ruajnë të bukurën, duke e gërshetuar atë me aspektin komercial”.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama parashtroi lehtësitë fiskale që ofron qeveria shqiptare për investitorët e huaj. Kjo vizitë vjen pas vizitës që Princi Alberti II zhvilloi në Shqipëri në muajin tetor 2018, ku u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi mes dy vendeve për identifikimin e fushave të veçanta dhe promovimit të tyre si dhe një marrëveshje financimi mes fondacionit të Princit Alberti II të Monakos me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Vlorës, si dhe shoqatës për mbrojtjen e burimeve natyrore, si “Pisha Flamur”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.