Lautaro Martinez kërkon postin e titullarit tek “Inter”

TIRANË, 11 prill /ATSH/ – Lautaro Martinez është gati të marrë rolin e protagonistit në sulmin e “Interit”, qoftë me Mauro Icardin në krah.

Sulmuesi argjentinas, që kthehet në dispozicion të Spalletit kundër Frosinones, e ka të qartë se çfarë do të thotë të mbash veshur fanellën zikaltër me numër 10.

“Gjithmonë punoj për të dhënë më të mirën. Numri në anën e pasme të fanellës përdoret për t’u identifikuar. E di mirë se çfarë do të thotë të jesh numri 10 i “Interit”. Personalisht, po përpiqem ta meritoj në të gjitha mënyrat”, shprehet ai.

Spalletti mund t’i besojë rolin e titullarit, duke ulur në stok pikërisht Icardin, por Lautaro mendon se mund të jenë të dy njëkohësisht në fushë.

“Që nga momenti i parë, kur kam ardhur tek ‘Interi’, Mauro më ka mbështetur. Ai më ka ndihmuar në shumë gjëra për t’u përshtatur me grupin e ri”, thekson ai.

Vendimi i përket trajnerit, që nëse e lë Icardin në stol mund të rindezë polemikat. Të kesh dy sulmues në formë në dispozicion, si Icardi dhe Lautaro, është luks, por në rastin konkret duhet të gjesh modulin e duhur për t’i bërë që të luajnë të dy.

/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.