Kuvendi miraton raportin mbi ecurinë e procesit të integrimit në BE

TIRANË, 11 prill/ATSH/ – Kuvendi ka miratuar të enjten në seancë plenare raportin për vitin 2018 mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si edhe raportin e veprimtarisë vjetore të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2018.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi dhe ndarjen nëpër komisione të deputetëve të rinj të Kuvendit, që u betuan pas djegies së mandatit të deputetëve të Partisë Demokratike dhe atyre të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Kuvendi miratoi me 86 pro dhe asnjë kundër projekt rezolutën për lidhur me Raportin për vitin 2018 mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë që raporti mbi veprimtarinë vjetore të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2018 u votua me 83 pro, 2 abstenim dhe asnjë kundër.

Ndërkohë ndarja e deputetëve të Kuvendit që morën mandatet e PD dhe LSI, nëpër komisionet kuvendore të përhershme dhe të posaçme u votua me 85 vota pro dhe asnjë kundër. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.