BRUKSEL – BE miraton shtyrjen e Brexit më 31 tetor

BRUKSEL, 11 prill /ATSH-AFP/ – Liderët europianë dhe Theresa May ranë dakord dje në mbrëmje për një shtyrje të Brexit që mund të arrijë deri më 31 tetor, duke larguar përkohësisht spektrin e një ndarje brutale, në përfundim të një samiti të tendosur në Bruksel.

Kompromisi u arrit përpara 12 prillit, afati i fundit për tërheqjen britanike të vendosur gjatë samitit të mëparshëm dhe që rrezikonte të shndërrohej në atë të një divorci pa marrëveshje pas më shumë se 40 vite të një lidhje kaotike.

Të ndarë në dy kampe mes mbështetësve pro një shtyrje të shkurtër të kryesuar nga Franca dhe mbrojtësve të një afati më të gjatë, të 27 iu deshën disa orë në dispozicion për të formësuar propozimin e tyre, përpara se t’ia paraqisnin atë rreth orës 01:30 kryeministres britanike.

Liderja konservartore e pranoi një propozim të tillë, megjithëse kishte kërkuar më herët për një shtyrje deri në 30 qershor. Ajo njoftoi se do të mbante sot një fjalim para deputetëve britanikë dhe do të vazhdonte diskutimet me opozitën laburiste në përpjekje për gjetjen e një kompromisi dhe madje të siguronte një shumicë parlamentare./ /v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.