“Ana Tjetër”, një film nga maturantët e “Don Boskos”

TIRANË, 11 prill/ATSH/- “Ana Tjetër” titullohet filmi i prodhuar nga maturantët e shkollës “Don Bosko, premiera e të cilit u shfaq në ambientet e Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi.

Skenari, regjia dhe i gjithë realizimi i filmit me metrazh të shkurtër “Ana Tjetër” është kryer nga vetë maturantët e shkollës “Don Bosko”, si produkt i Young Skills Production, një kompani e re filmike e ideuar, krijuar dhe menaxhuar nga vetë të rinjtë adoleshentë.

Përmbajtja dhe mesazhi i filmit trajton temën e gjakmarrjes, një fenomen që nuk i zhduk rrënjët e tij, duke shkaktuar ende plagë sociale në shoqëri, por veçanërisht tek brezi i ri.

Duke konsideruar anën tjetër të këtij fenomeni, duke mos u mjaftuar me trajtimin e viktimës, por duke analizuar dhe përjetuar botën shpirtërore të gjakësit, filmi ka për qëllim që të ndërgjegjësojë brezin e ri me vlerat e bukura jetës, me tolerancën dhe me besimin se te forca e të rinjve qëndron zgjidhja e shumë problemeve dhe plagëve të trashëguara nga e kaluara.

Roli kryesor i filmit, Albani, u soll me mjaft profesionalizëm nga maturanti Endrionis Kolaj, ndërkohë që pjesëmarrja e veçantë e aktores dhe regjisores së njohur Suela Bako, e cila pranoi pa hezitim të ishte pjesë e kastit, i dha filmit një vlerë të shtuar artistike.

Në përshëndetjen e saj drejtuar të rinjve organizues, Suela theksoi se “të isha me ju për aq pak më mbushi jetën për gati një javë. Juve ju ka mbushur jetën për më shumë sigurisht… Guxoni, luftoni, mbusheni jetën tuaj me gjëra që vlejnë e që ju bëjnë krenarë! Unë e di që ky vend ka shpresë, dhe shpresa jeni ju, bashkëmoshatarët tuaj! Ata që do të luftojnë për ëndrrën, Ata janë fitimtarët! Kjo është “Ana tjetër”, e të ardhmes që duam…”
Në premierën e filmit përveç të rinjve, morën pjesë përfaqësues të artit, kulturës, medias e të tjerë”.

Orilda Kalami, mësuese e lëndës “Shoqëritë e Nxënësve – Bëhu Sipërmarrës” theksoi rëndësinë e mbështetjes së të rinjve si një domosdoshmëri për një të ardhme më të sigurtë.

“Don Bosko ka thënë “Mjafton të jeni të rinj që unë t’ju dua”. Prania juaj këtu tregon që ju i doni dhe mbështesni të rinjtë. Tregon që ne mësuesit nuk jemi të vetëm në procesin e edukimit. Të gjithë së bashku, artistë, njerëz të medias e biznesit mund t’i drejtojmë drejt së mirës dhe së drejtës. Junior Achievement është mënyra më e mirë për të dalë jashtë mureve të shkollës, për të provuar suksesin, për të krijuar, për të marrë njohuri përmes praktikës. Për nxënësit ky i sotmi është një ndër momentet e sukseseve të tjera që i presin, për ne është një moment gëzimi e inkurajimi ndaj tyre”, tha Kalami. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.