Shqipëria drejt një sistemi drejtësie eficient dhe të paanshëm

TIRANË, 10 prill /ATSH – I. Vata/ – “Reforma në Drejtësi po jep rezultate pozitive dhe Shqipëria është në rrugën e duhur drejt një sistemi drejtësie eficient dhe të paanshëm”, u shpreh sot zv.kryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit, Taulant Balla.

Këshilli Kombëtar i Integrimit, në drejtimin e zëvendëskryetarit Taulant Balla zhvilloi një takim me fokus Reforma në Drejtësi dhe ngritja e organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

Në fjalën e tij, Balla tha se “Kuvendi ka miratuar tërësisht paketën e Reformës në Drejtësi. Dua të informoj se deri më 9 maj, në Ditën e Europës, Kuvendi me seancën e datës 8 maj, do të shqyrtojë dhe tre ligjet e mbetura nga paketa e dytë e paketës së madhe të Reformës në Drejtësi”.

“Të gjitha këto zhvillime pozitive tregojnë se Reforma në Drejtësi po jep rezultate pozitive dhe Shqipëria është në rrugën e duhur drejt një sistemi drejtësie eficient dhe të paanshëm, i lirë nga çdo ndikim apo trysni politike”, – theksoi Balla.

Për sa i përket rolit të shoqërisë civile në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, Balla tha se ”sot presim një bashkëpunim të frytshëm dhe afatgjatë me Këshillin Kombëtar të Shoqërisë Civile, pasi shoqëria civile është komplet i rëndësishëm i çdo sistemi demokratik. Dhe për këtë synojmë të konsolidojmë konsultimin me aktorë të shoqërinë civile, si pjesë gjithëpërfshirëse e dialogut, pasi dialogu është një pjesë e rëndësishme për sa i përket integrimit europian, por angazhimi i shoqërisë civile është thelbësor në vazhdim të dialogut konstruktiv”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.