Rihapja e dosjes së Masakrës së Peshkëpisë – Prefekti Aliaj: Zgjon shpresën për drejtësi

TIRANË, 10 prill/ATSH/- Prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj, kërkoi sot zbardhjen e masakrës së Peshkëpisë, të ndodhur në vitin 1994, ku mbetën të vrarë dy ushtarakë të postës kufitare të këtij fshati dhe 3 të tjerë u plagosën, nga një sulm i papritur i një organizate greke.

Në ceremoninë e organizuar sot në 25-vjetorin e kësaj masakre, ishin të pranishëm prefekti i qarkut të Gjirokastrës Astrit Aliaj, kryetari i këshillit të qarkut Armand Hilaj, drejtori i Policisë së qarkut Perlat Vatoci, si dhe familjarë të të rënëve.

Në fjalën e tij prefekti Aliaj theksoi se “masakra e Peshkëpisë është nga ato ngjarjet e rënda që nuk është hetuar asnjëherë plotësisht. Autorët, pjesëmarrësit dhe mbështetësit e saj ende dhe sot jetojnë të lirë dhe të pashqetësuar. Zbardhja e kësaj ngjarjeje është detyrim në emër të drejtësisë për kapitenin e ndjerë Fatmir Shehu dhe ushtarin Arsen Gjini, është detyrim që historia mos të përsëritet, por të sjellë në fund të vërtetat”.

“Rihapja e dosjes së kësaj masakre vetëm pak muaj më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Tiranë, pas 25 vitesh zgjon tek ne shpresën për vendosjen para drejtësisë autorëve të ngjarjes”, nënvizoi Aliaj.

Prefekti Aliaj u shpreh se “jam këtu sot për të shprehur indinjatën e thellë për këtë ngjarje dhe për të siguruar familjarët, ushtarakët, repartet e sigurisë, forcat policore dhe për të mbështetur punën e tyre për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”.

Pavarësisht kësaj ngjarjeje, vijoi Aliaj, marrëdhëniet midis dy shteteve tona kanë rritur frymën e bashkëpunimit në kuadër të fqinjësisë, të aleancës NATO, të Bashkimit Europian, duke respektuar të drejtat tona ndërkombëtare.

“Le të jenë këta dëshmorë, si dhe gjithë dëshmorët e tjerë të rënë në krye të detyrës, shembull për rininë dhe vendin, të shërbejë si burim frymëzimi për të mbrojtur idealet e atdheut tonë. Nderimi dhe respekti për dëshmorët është dhe do të jetë obligimi i krenarisë sonë kombëtare sepse dhanë jetën për lirinë e këtij vendi”, tha Aliaj.

Më 10 prill 1994, një komando e përbërë nga 7 persona, të veshur me uniformë të ushtrisë greke, sulmuan postën kufitare të Peshkëpisë duke vrarë ushtarin roje Arsen Gjini – 20 vjeç dhe kapitenin e parë Fatmir Shehu – 34 vjeç, duke hapur zjarr mbi rekrutët që po flinin e duke plagosur prej tyre Eduart Vermishin, Frederik Kalemin dhe Janaq Xegën. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.