Muharremaj: KLGJ menaxhoi vakancat e krijuara nga të larguarit prej Vetingut

TIRANË, 10 prill/ATSH/- Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Erjon Muharremaj, shprehu angazhimin e të gjithë anëtarëve të këtij këshilli për të vijuar punën dhe për të çuar përpara procesin e reformës në sistemin gjyqësor.

Në fjalën e tij në Këshillin Kombëtar të Integrimit, Muharremaj tha se “strategjia që ka ndjekur Këshilli i Lartë Gjyqësor deri tani në punën e tij ka qenë e fokusuar në dy drejtime; veprimtaria në kuadër të kushteve të emergjencës, për shkak të largimit të një numri të konsiderueshëm të gjyqtarëve, 23 të tillë nga sistemi gjyqësor përpos vendeve vakante që ekzistonin përpara fillimit të procesit të rivlerësimit dhe për të përmbushur detyrimin kushtetues për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor, masat me karakter emergjent dhe nga ana tjetër hartimi i strategjive më afatgjata për të garantuar vijimësinë e punës së këshillit”.

“Për të garantuar funksionimin e autoriteteve drejtuese të gjykatave për shkak se prej 23 gjyqtarëve të larguar deri tani ku më shumë se gjysma 12 prej tyre kanë qenë kryetarë gjykatash u procedua menjëherë me miratimin e rregullores për zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të gjykatave në mënyrë që autoritetet drejtuese të gjykatave të vazhdonin punën e tyre”, nënvizoi Muharremaj.

Për sa i përket ngritjes së gjykatës së posaçme për hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, Muharremaj theksoi se “Këshilli i Lartë Gjyqësor filloi procedurën për përcaktimin e përkohshëm të gjyqtarëve në gjykatat e posaçme ku nga 26 gjyqtarë, 22 prej tyre e kanë dhënë pëlqimin për t’u caktuar në gjykatën që do të krijohet”.

“Që në fillim të veprimtarisë së vet Këshilli krijoi katër komisionet e përhershëm atë që ka të bëjë me zhvillimin e karrierës, hartimin e planit strategjik , atë për vlerësimin etik dhe të veprimtarisë profesionale dhe të komisionit disiplinor. Po ashtu lindi nevoja e komisionit të përkohshme ku një nga këta bashkëpunon ngushtësisht me komisionin e pavarur të kualifikimit për shpejtimin e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve”, nënvizoi Muharremaj.
Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor u shpreh se “për të plotësuar trupat gjykuese dhe gjykatat që kanë nevoja të mëdha është proceduar menjëherë”.

“Në ndihmë të organeve të Vetingut, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka hartuar 33 raporte vlerësimi për gjyqtarët dhe është duke vepruar në mënyrë të përshpejtuar edhe për hartimin e raporteve të tjera sipas listës prioritare të përcaktuar nga KPK-ja”, tha ai.

Muharremaj tha se “në shkurt 2019 kemi ngritur edhe një grup ndërinstitucional për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe për shpërndarjen e komptencave të gjykatave, pra për përcaktimin e asaj që quhet harta gjyqësore”./k.s/j.p.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.