FRANCË – Parisi kërkon një reagim europian përballë ngadalësimit ekonomik botëror

PARIS, 10 prill /ATSH-AFP/ – Franca do t’i propozojë partnerëve europianë një “kontratë” me katër pika përballë ngadalësimit ekonomik botëror, mes të cilave një rritje të shpenzimeve për vendet që kanë marzh manovre buxhetor, njoftoi sot ministri francez i Financave.

“Ngadalësimi i rritjes ekonomike botërore po bëhet shqetësues”, vlerësoi ministri, Bruno Le Maire gjatë një dëgjese para Komisionit të Financave në Asamblenë Kombëtare, duke u shprehur i shqetësuar për efektet që do të kenë tensionet tregtare dhe pasojat e Brexit.

“Ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq përballë këtij ngadalësimi ekonomik. Kjo është përgjegjësia kryesore e ministrave të Ekonomisë dhe ministrave të Financave të eurozonës që duhet të ndërmarrin iniciativa mbi këtë çështje”, shtoi ai.

Le Maire njoftoi se do t’i propozojë partnerëve europianë një kontratë të re për rritjen ekonomike në eurozonë, në kuadër të një mbledhje të ministrave të Financave të G20-ës në fundjavë në Uashington.

Kjo kontratë do të mbështetet në katër shtylla që janë vazhdimi i reformave strukturore në vendet që duhet të rrisin konkurrueshmërinë, vendet që kanë marzh manovre buxhetore duhet të rrisin investimet, eurozone duhet të përgatitet për një reformim dhe bashkimin bankar, si dhe Banka Qendrore Europiane duhet të vazhdojë të ketë politika monetare lehtësuese. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.