FOTO/ Turistët e aventurës shijojnë adrenalinën e rafting në Funar, perla turistike mes katër liqeneve

TIRANË, 10 prill /ATSH/ – Fshati Funar një nga perlat turistike rreth 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit ka mirëpritur turistët e aventurës të cilët kanë shijuar adrenalinën e sportit të rafting në ujërat me ngjyrë të gjelbër të liqeneve që rrethojnë fshatin.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi shprehet se, “rafting edhe në Funar, vetëm 30 minuta larg Elbasanit. Liqenet dhe pyjet, pamje gati piktoreske në këto foto, janë vetëm një nga potencialet që Shqipëria ka për të ushtruar sportet në natyrë, si hapa të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit të aventurës”.

Funari është fshati që ndrin buzë liqenesh i rrethuar me pyje dhe gjelbërim. Ajo që e bën akoma më tërheqës është ngjyra e gjelbër e ujit të liqeneve, e cila krijon një vezullim prej smeraldi.

Është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene, apo rezervuarë të ndarë në dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.

E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë edhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën. Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.