FOTO/ Rivitalizohet në kryeqytet ndërtesa e viteve ’30

TIRANË, 10 prill /ATSH/ – Një banesë në kryeqytet që i përkiste viteve ’30 i ka shpëtuar degradimit dhe është shndërruar në një vend mikpritës për qytetarët në kafene dhe restorant.

Banesa e vjetër në Tiranë pas rivitalizimit ruan ende stilin dhe vlerën historike që ajo ka, ku detajet janë restauruar me kujdes nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti inspektoi nga afër këtë ndërtesë ku shprehet se, “një nga ndërtesat me vlera të spikatura arkitektonike, e ndërtuar në mesin e viteve ’30, në stil neoklasik, por që ishte në kushte tepër të degraduara dhe paraqiste rrezik për kalimtarët dhe humbje totale të vlerave arkitektonike të saj. Pas diskutimeve mes specialistëve të IMK dhe pronarëve të objektit u propozua rivitalizimi i kësaj ndërtese duke i dhënë funksion kafene-restorant”.

Rivitalizimi i ndërtesave me vlera historike dhe kulturore është në fokus të Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve përkatëse, pasi këto vende tashmë në vendin tonë po shndërrohen në destinacione të preferuar të vizitorëve të huaj./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.