FOTO/ Kukës, fshatit Zapod i shtohen 2 mijë akacie për rigjenerimin e zonës së dëmtuar

TIRANË, 10 prill /ATSH/ – Fshatit Zapod të Kukësit i shtohen 2 mijë akacie në kuadër të nismës “Krijo oksigjenin tënd”. Mbjellja e 2 mijë akacieve do bëj të mundur rigjenerimin e zonës nga erozioni dhe prerjet e paligjshme të pemëve.

Në mbjelljen e tyre mori pjesë dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi. ”Njerëzit e kësaj zone e kanë shumë të nevojshme që të kenë mundësi që të realizojnë pyllëzimin e plotë të 30 hektarëve të dy shpateve të malit për ta rikthyer atë në gjendjen e mëparshme, për të pasur mundësi që nga pyjet të kenë ekonomi, por që nga pyjet të kenë edhe mbrojtje dhe zbutje të kushteve klimatike. Prandaj me mbështetjen e koperacionit GIZ, ne jemi sot këtu për të mbjellë 2 mijë akaciet e para, të cilat janë mbase një vepër simbolike në një zonë kaq të madhe, por që mendoj do të vazhdojmë këtë projekt për të prodhuar të paktën në një zonë të caktuar një ripyllëzim”, tha ministri Klosi.

Si në çdo aktivitetet tjetër mbjelljesh, në kuadër të fushatës ”Krijo oksigjenin tënd”, ministri u shoqërua nga nxënës të shkollave 9-vjeçare, me misionin për ti ndërgjegjësuar ata me dashurinë për natyrën.

“Për sa i përket djemve dhe vajzave të cilët kanë ardhur për të na ndihmuar nga shkollat e zonës, ne e kemi shumë të nevojshme që ata vetë të merren me mbjelljen e pemëve, pasi mendojmë që është një mësim shumë i mirë për ata”, tha ministri Klosi. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.