Erion Braçe, kryetar i këshillit drejtues të FSHZH-së

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Këshilli i Ministrave caktoi sot zëvendëskryeministrin, Erion Braçe, kryetar të këshillit drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme të qeverisë u emëruan edhe anëtarët, përfaqësues të pushtetit qendror, në këshillin drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Konkretisht në këtë këshill drejtues bëjnë pjesë ministrja e Kulturës, Elva Margariti,  zv/ministrja e Financave dhe Ekonomisë Belinda Ikonomi, zv/ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi si dhe zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është organizatë zhvillimore që i përgjigjet sfidave dhe partnerëve të saj, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

E themeluar që në vitin 1993, FSHZH ka një përvojë 25-vjeçare në zhvillimin e infrastrukturës, urbanizimit, turizmit dhe bashkëpunimit ndërkufitar.

Besueshmëria, transparenca, efektiviteti dhe qëndrueshmëria janë parimet që udhëheqin Fondin Shqiptar të Zhvillimit në punën e tij me partnerët dhe donatorët. FSHZH aplikon metoda novative dhe është i orientuar drejt rezultateve afatgjata në interes të komuniteteve përfituese të projekteve që zbatohen prej tij. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.