Basha: Dislokimi i FA-së në aeroport, antikushtetues

TIRANË, 10 prill/ATSH/ “Dislokimi i Forcave të Armatosura ushtarake, në mënyrë totalisht antikushtetuese dhe të paligjshme, është një provë e rënies totale të shtetit dhe të kapitullimit të policisë para krimit”, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas vendimit për vendosjen e Forcave të Armatosura në perimetrin e sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”.

Pas një takimi të zhvilluar në qytetin e Vlorës, Basha reagoi lidhur me “cenimin e sigurisë përmes grabitjes së armatosur të linjës ndërkombëtare Tiranë-Vjenë”.

“Asnjë alibi dhe fshehje pas aferave nuk do të mbulojë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Edi Ramës, që e ka sjellë vendin në kushtet e një grushti shteti kushtetues, përmes kapjes së Parlamentit dhe zgjedhjeve me krimin, dhe tani do ta sjellë në kushtet e një grushti të vërtetë shteti për të dislokuar trupat ushtarake, tani që policia qartësisht ka dështuar të kontrollojë sigurinë dhe rendin, siç nuk mund ta kontrollojë asnjë polici, kur krimi është i lidhur me qeverinë”, tha Basha.

Ndaj rruga e vetme për të rikthyer sigurinë, sipas tij, “nuk është as largimi i koncesionarit, as largimi i policisë dhe as kthimi i Shqipërisë në një Juntë ushtarake, por është largimi një orë e më parë i shkaktarit të kësaj gjendje, Edi Ramës”. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.