Veliaj: Shkolla në Kodër-Kamzë edhe në planin e Bashës në 2013, me firmën e Malltezit

TIRANË, 9 prill /ATSH/ “Pavarësisht se PD-ja proteston sot, ndërtimi i shkollës së re në Kodër-Kamzë daton që në vitin 2013, në Planin Urbanistik të Bashkisë së Tiranës hartuar nga Lulzim Basha, dikur kryetar bashkie, e sot kryetar i PD-së”, theksoi kryebashkiaku Erion Veliaj në bashkëbisedimin me studentë dhe pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës mbi ecurinë e Paktit për Universitetin.
Madje, tha ai, shkolla parashikohej të ndërtohej pikërisht në të njëjtin vend ku sot PD-ja proteston kundër ndërtimit të saj. “Por, më i çuditshëm është fakti se Plani Urbanistik i vitit 2013 i Bashës ka marrë më parë pëlqimin dhe miratimin e vetë Jamarbër Malltezit, i cili ka bërë vlerësimin e ndikimit mjedisor të atij plani”, vuri në dukje Veliaj.
Veliaj deklaroi se në planin e hartuar nga dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, zona ishte shënuar me të verdhë për të lejuar madje edhe ndërtimin e pallateve, ndërsa aktualisht kjo zonë është me të kuqe ku ndalohen ndërtimet e pallateve. “E gjithë zona e kuqe është vetëm për çështje arsimore. Nëse do ishte për pallate do i kishim dhënë ngjyrë tjetër. Ata që i thonë fantazitë e kishin një plan në 2006, madje kam parë dhe maketin e atyre pallateve që do bëheshin, madje di dhe sa pedagogë apo njerëz me influencë janë paguar për të heshtur. Nëse doni të dini çfarë mendimi kam për zonën e kam dhënë mendimin që në 2015 që është në plan”, tha ai.
“Qëllon që në vitin 2012 – 2013 kolegu juaj Jambarbër Malltezi, Sazan Guri, Sulejman Sulçe zonën që flitet e kanë me të verdhë pra mund të ndërtohet. Megjithatë edhe Malltezi kur vjen puna për shkollën prapë këtu e kishte përcaktuar. Pra i lë ndërtuesit të ndërtojnë, por kur erdhi puna për shkollën pati cipë. Në të njëjtën pikën e ka edhe bashkia e Tiranës. Hajde bëjmë debat po pse duhet të gënjejmë. Kur shikon njerëz që kanë qenë bashkëplanifikues të këtyre ideve dhe kur plani ka kaluar dhe për ndërtim civil dhe për arsim dhe më pas ka kaluar vetëm për arsim ta themi edhe këtë. Si është toleruar kjo padrejtësi 30 vite dhe si me kurdisje ata që dhanë këto vendime, bënë këto shpronësime, bënë këto plane dhe që kanë kurdisur të gjitha aferat me ndërtuesit dalin e protestojnë sikur duan arsim. Dhëndurë, dhëndri. Është bo dhondri personalitet. Mirë more, e keni koleg, nuk i thoni dot të paktën këto që thashë unë, minimalisht duhet t’’ia thoni të vërtetën. Toka është private, është shpronësuar, letrat i ka bashkia e Tiranës. Nëse gjykata u jep të drejtë merreni, taksirati im që të gjej një tokë tjetër”, tha Veliaj. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.