Patos, investimi në shkollën “Mustafa Matohiti”, përfitojnë 700 nxënës

TIRANË, 9 prill /ATSH/ – Qeveria shqiptare ka miratuar projektin për rikonstruksionin e shkollës “Mustafa Matohiti” në Patos, një investim prej të cilit përfitojnë 9 mijë banorë të zonës.

Duke e cilësuar këtë një lajm fantastik për qytetarët e Patosit, kryetarja e bashkisë, Rajmonda Balilaj tha se “kjo shkollë është djepi i dijes së rreth 700 nxënësve dhe 44 mësuesve”.

“Çfarë lajmi fantastik për komunitetin e lagjes “Mustafa Matohiti” dhe për të gjithë qytetarët e Patosit. Kushtet e këqija dhe mjediset e rrënuara të shkollës së mesme të bashkuar “Mustafa Matohiti”, problematika të trashëguara prej dekadash me radhë, së shpejti do të kthehen në një histori të së shkuarës”, – tha Balilaj.

Projekti në fjalë i hartuar nga Drejtoria e Projekteve në bashkinë Patos, me nismën e kryetares së bashkisë, Rajmonda Balilaj, parashikon ndërhyrje dhe rikonstruksion tërësor të godinës.

Shkolla do të ketë gjithë infrastrukturën moderne të një objekti arsimor me kushte bashkëkohore, me një palestër të re, klasa e laboratorë me mjetet e nevojshme, një kënd mësimdhënie për gjimnastikën dhe një hapësirë jashtë godinës totalisht të rikonceptuar dedikuar banorëve të zonës, për t’a kthyer këtë shkollë në një qendër komunitare që do t’i shërbejë të gjithëve.

Me një fond prej mbi 88.6 milionë lekësh akorduar nga qeveria shqiptare në bashkëfinancim me bashkinë Patos, rikonstruksioni i shkollës “Mustafa Matohiti” do të fillojë së shpejti.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.