MJEKËSI – Lidhje të forta familjare për shëndetin e zemrës

NJU JORK, 9 prill /ATSH-AA/ – Mjeku turk me famë botërore, kardiokirurgu Mehmet Oz, thotë se lidhjet e forta dhe të afërta familjare zvogëlojnë stresin dhe i bëjnë mirë shëndetit të zemrës.

Mehmet Oz, i cili jeton në SHBA dhe ka arritur një famë botërore me punën e tij, në një prononcim për mediet ka shpjeguar se çfarë duhet të bëjmë për të pasur një zemër të shëndetshme dhe për t’u mbrojtur nga sëmundjet e zemrës.

“Kur hamë sheqer, fitojmë peshë. Pesha ka shumë dëme, por dëmi më i madh është në mëlçi”, tha Oz duke përmendur dëmet e konsumimit të sheqerit, që kanë një ndikim të madh në shëndetin e zemrës edhe produktet që konsumohen.

Ai thotë se kur në mëlçi grumbullohet sheqer ai shndërrohet në dhjamë dhe një mëlçi e sëmurë nuk mund të mbrohet kundër kolesterolit.

“Me kolesterolin e keq, është e vështirë të riparohet një plagë kur formohet në damarët në zemër. Ky është një shqetësim i madh edhe te meshkujt edhe tek femrat. Brenda zemrës ka tre arterie kryesore të mëdha, këto arterie konsiderohen si një mur. Ky mur shpohet dhe arsyet që shpojnë janë tensioni i lartë, diabeti. Diabeti e çan murin si një copëtues xhami. Pas formimit të vrimës brenda murit ne kemi nevojë ta riparojmë atë ndërsa substanca që përdoret është kolesteroli”, thotë Oz.

Kuzhina mesdhetare jashtëzakonisht e shëndetshme

Ai ka bërë të ditur se kuzhina mesdhetare është shumë e shëndetshme dhe se ushqimet me aditivë krijojnë kimikate të këqija në trup dhe kjo rrit sëmundjet e zemrës.

“Kuzhina mesdhetare është jashtëzakonisht e shëndetshme. Pse? Për shkak se ka perime dhe fruta të freskëta. Vaji i ullirit është një substancë tashmë që prodhohet nga Turqia dhe cilësia është shumë e lartë, jo false. Në turizmin tonë ka ushqime që mund të hahen. Ushqimet që hamë janë shumë të shëndetshme. Më frikësojnë më shumë ushqimet e reja që kanë dalë, sepse përmbajnë më shumë sheqer ose kripë për të rritur sasinë e konsumit. Ndryshimi i aromës mund të jetë më i shijshëm, por jo i shëndetshëm”, thekson Oz.

Për një zemër të shëndetshme formoni lidhje të forta familjare

Oz ka përmendur se në sëmundjet e zemrës është efektive edhe gjenetika edhe faktori i stresit, por lidhjet familjare kanë efekt pozitiv mbi shëndetin e zemrës.

Pasi ka vënë theksin se njerëzit në perëndim janë më të stresuar për shkak se lidhjet familjare janë më të dobëta, Oz tha se “nëse mund t’i mbani njerëzit afër jush, sidomos nëse formoni një jetë ku jeni gjithmonë në kontakt me njerëzit që doni në familje, mund t’iu mbrojë, por nëse kjo mungon stresi fillon të rritet. Shfaqja e stresit të lartë shkakton një ndikim të madh mbi zemrën. Madje, nëse ka mërzi të madhe mund të shfaqet edhe pamjaftueshmëri e zemrës. Ky është një problem i zbuluar rishtazi, por ne e shohim shumë”.

“Lidhjet e forta familjare për shëndetin e zemrës janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Lidhja midis njerëzve është shumë e rëndësishme. Është një mbrojtje kundër stresit, por në të njëjtën kohë na jep një qëllim në jetë. Nëse ka qëllime në jetë atëherë ne me siguri që i japim edhe një qëllim rrahjeve të zemrës”, thekson ai./ /os/ a.jor.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.