KPK shkarkon Edison Ademin, drejtues në Prokurorinë e Sarandës

TIRANË, 9 prill /ATSH – I. Vata/ – Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra Edison Ademin, drejtues në Prokurorinë e Sarandës.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas hetimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit, provave dhe fakteve, ka marrë vendimin për shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Edison Ademi.

Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e përbërë nga kryesuesja Genta Tafa Bungo, Lulzim Hamitaj dhe Fierdes Shuli.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar seancën dëgjimore me subjektin e rivlerësimit Edison Ademin, drejtues në Prokurorinë e Sarandës më 5 prill, sot shpalli vendimin e largimit të tij nga detyra, pasi nuk përmbushi kriteret ligjore të Vetingut.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.