“Interi” zgjedh Antonio Conten

TIRANË, 9 prill /ATSH/ 7 ndeshjet e mbetura në këtë sezon do të jenë 7 sfidat e fundit për Luciano Spallettin në stolin e “Interit”.

As kualifikimi në Champions League nuk do të mjaftojë që ish-trajneri i “Romës” të konfirmohet në stolin zikaltër edhe për sezonin e ardhshëm, edhe pse është nën kontratë deri në verën e vitit 2021.

Giuseppe Marotta dhe presidenti Steven Zhang e kanë zgjedhur tashmë pasuesin e Spallettit dhe ai do të jetë ish-juventini Antonio Conte i cili ka fituar balotazhin me Jose Mourinhon të paktën duke iu referuar atyre çfarë shkruajnë mediet italiane.

Marotta e ka bindur Conten që pëlqehet edhe “Milani” me një pagë prej 10 milionë eurosh në sezon aq sa ky i fundit përfitonte edhe te Chelsea.

Me Conten mund të ndryshojë edhe e ardhmja e Icardit i cili edhe pse kërkohet nga “Atletico Madrid” mund të vendosë të qëndrojë pasi ish-trajneri i kombëtares italiane do të jetë i prirur fillimisht të rinovojë repartin e mesit të fushës.

/gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.