I lindur në Mitrovicë, Adnan Dibrani kandidon për socialdemokratët suedezë në Parlamentin Europian

TIRANË, 9 prill /ATSH/ – Adnan Dibrani, lindur në Mitrovicë dhe i ardhur si refugjat në Suedi në vitin 1992 kandidon për deputet në Parlamentin Europian. Ai është anëtar i parlamentit suedez për Socialdemokratët. Dibrani u zgjodh në parlamentin suedez në vitin 2014 ku përfaqëson zonën elektorale të Hallandit.

Dibrani është një ekonomist i trajnuar dhe ka punuar si punonjës banke. Në politikë, ai është angazhuar në çështje që lidhen me biznesin e vogël, sigurinë e pacientit, LSS dhe sistemin e taksave.

Gjatë vitit 2010-2014, Adnan Dibrani ishte përgjegjës për pyetjet rreth CSN dhe shëndetit të studentëve për Socialdemokratët. Ai është anëtar i bordit të Inspektimit të CSN dhe bordit të Inspektimit të Zyrës Suedeze të Auditimit Kombëtar.

Pas këtij rrugëtimi, Dibrani është një nga kandidatët e Socialdemokratëve për Parlamentin Europian në zgjedhjet e vitit 2019.

Kandidimin e tij e përshëndeti edhe deputeti socialist Ervin Bushati, i cili shprehu krenari për të gjithë shqiptarët që janë pjesë dhe garojnë në politikën europiane si në nivel lokal, nacional dhe së fundmi në atë europian.

“2019 do të jetë viti kur shqiptarë do të jenë pjesë e Parlamentit Europian”, tha ai, duke iu referuar rastit të Adnan Dibranit si një tjetër rast suksesi shqiptar. /m.z//j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.