FOTO/ Rruga Fushë-Krujë – Thumanë, me të gjitha standardet në shërbim të 40 mijë banorëve

TIRANË, 9 prill/ATSH/ – Rruga Fushë-Krujë – Thumanë, aq shumë e kërkuar nga 40 mijë banorët e zonës dhe e premtuar prej 25 vitesh, sot është një vepër infrastrukturore moderne me të gjitha standardet.

Falë një investimi prej 605 milionë lekësh nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, aksi prej 11,2 km është rikonstruktuar në gjithë gjatësinë e tij, me dy korsi, trotuare dhe ndriçim në zonat e banuara, kanalizime të ujërave të zeza dhe të shiut, 320 vepra arti përgjatë rrugës, sinjalistikë rrugore dhe mure mbrojtëse.

Ky segment bën të mundur lidhjen me Mamurrasin, Laçin, superstradën Lezhë–Shkodër dhe “Rrugën e Kombit”, dhe gjatë sezonit turistik do ti shërbejë si rrugë dytësore e autostradës Fushë-Krujë – Milot duke ulur ndjeshëm trafikun e rënduar.

Gjithashtu kjo rrugë është një arterie e rëndësishme zhvillimore për banorët e zonës, i cili përkthehet në nxitje të zhvillimit ekonomik rural sepse deri tani ishte pengesa kryesore për të investuar në këto zona./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.