FOTO/ Hoteli me 5 yje në Valbonë shton kapacitetin në zonën alpine

TIRANË, 9 prill /ATSH/ – Valbona është një nga polet turistike e cila po tërheq shumë vizitorë të huaj për shkak të bukurive malore dhe peizazhit të mrekullueshëm që ajo ofron.

Në këtë kuadër ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi një aktivitet me operatorët turistikë në Valbonë, ku gjithashtu ministri inspektoi edhe punimet për hotelin me 5 yje që pritet të ndërtohet së shpejti.

Falë investimeve, që janë realizuar në Valbonë, falë traditës, eksperiencës dhe historisë që ka laguna, ministri Klosi tha se është shënuar një hap i rëndësishëm në turizmin malor, në Shqipëri.

”Tashmë është e vështirë që të ndash nëse turistët e huaj që vijnë në Shqipëri, të cilët vitin e kaluar kanë qenë plot 6 milionë turistë të huaj, vijnë më shumë për detin apo vijnë më shumë për malin. Ne na duhet që të kuptojmë se çfarë duan operatorët e zonës. Në sondazhet që kemi realizuar me turistët e ardhur në Shqipëri, që kemi kategori të caktuara turistësh, të cilët nuk e duan detin shqiptar, kanë det në vendet e tyre, por ama e gjithë zona e Europës nga ku vijnë turistët dominon zonën malore. Vijnë në Shqipëri për të parë bukuritë e maleve për të parë malin e Korabit, për të shkuar në Tomorr, për të ndjekur zonën e Currajve të Epërm, turistët cekë, zonën e mbi Shkodrës, pra kemi shumë pole, të cilat na duhen që t’i administrojmë më mirë pasi realisht prodhohet më shumë ekonomi dhe më shumë punësim”, tha ministri Klosi.

Gjatë inspektimit për një nga investimet e reja, që ka nisur të ndërtohet në Valbonë, një hotel me 5 yje, ministri tha se, ”kam bindjen e thellë se një investim si ky i Avniut, këtu në mes të kësaj perle të turizmit shqiptar do ta disafishojë biznesin e zonës. Ky është një hotel që vjen në standardet e hoteleve me 5 yje, që ofron 80 dhoma dhe një sërë aksesorësh të tjerë, që është kaq i nevojshëm për zonat alpine. Ajo që na duhet të diskutojmë me ju është sesa të përgatitur jemi ne për të siguruar shërbim, kamarierë, kuzhinierë, njerëz që ofrojnë shërbime brenda bujtinave, guesthouse-ve dhe një hoteli të vërtetë brenda bujtinave, guesthouse-ve dhe një hoteli të vërtetë me 5 yje në zonën e Valbonës”.

Sipas tij, pas certifikimit për herë të parë të udhërrëfyesve turistikë, ka ardhur momenti që guidat të bëhen nga njerëz profesionistë, që e njohin turizmin.

”Jemi tashmë në një fazë konsultimi me guidat profesionale të cilat bëjnë të mundur në mënyrë profesionale shoqërimin e turistëve në bjeshkë që është realisht një profesion, që ka shumë nevojë që të ketë njerëz shumë të personalizuar që njohin malin, natyrën, që dinë të japin ndihmën e shpejtë, që dinë të shpjegojnë nga pikëpamja ekologjike apo e zonave të mbrojtura, që çfarë ato ofrojnë pra të kemi njerëz që realisht t’i bëjnë njerëzit që të qëndrojnë më gjatë në vendin që vizitohet”, u shpreh ministri. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.