Pakti për Universitetin, ekselentja e punësuar në Ministrinë e Arsimit: Përvoja, avantazh i madh për studentët

TIRANË, 8 prill/ ATSH A.ALLA/  Studentja Kleida Mjaltëza e cila ka përfunduar Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës aktualisht është punësuar në Ministrinë e Arsimit në sektorin e Monitorimit të Standarteve dhe Kapaciteteve Infrastrukturore të institucioneve arsimore nga kopshti deri tek universitetet, në kuadër të Paktit për Universitetin.

”Ndihem shumë mirë përgjatë dy javëve që jam punësuar në këtë institucion dhe kam përfituar shumë. Kam mësuar rreth punës së drejtorisë si dhe asistoj përditë specialistet në nevojat e tyre të përditshme”, u shpreh studentja gjatë aktivitetit të hapjes së thirrjes së katërt të praktikave të punës.

“Inkurajoj të gjithë studentët të bëhen pjesë e këtyre praktikave për dy arsye. Së pari do mësojnë shumë për punën në shtet dhe së dyti përvoja e një pune në shtet është një avantazh i madh për studentët. Jam shumë me fat që jam këtu sot dhe do ndihesha akoma më mirë nëse me punën time tre mujore do bindja drejtuesit e mi për të fituar kontratën një vjeçare të punës”, tha studentja gjatë aktivitetit të zhvilluar sot në Universitetin e Arteve me praninë edhe të kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Arsimit, Besa Shahini. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.