Nënkalimi në aksin kombëtar Librazhd-Peshkopi, me të gjitha standardet

TIRANË, 8 prill/ATSH/- Prej kohësh ishte bërë një nyje problematike për qarkullimin e automjeteve në unazën e qytetit të Librazhdit, sot është një nënkalim funksional dhe me të gjitha standardet.

Në nënkalimin midis hekurudhës dhe aksit nacional Librazhd-Peshkopi, të ndërtuar rreth viteve ’60, pas çdo reshje shiu, ujërat vërshonin në rrugë duke bllokuar qarkullimin dhe duke shkaktuar përmbytje të banesave dhe bizneseve në atë pjesë të qytetit.

Bashkia e Librazhdit bën të ditur se “pas një bashkëpunimi të suksesshëm me Autoritetin Rrugor Shqiptar arritëm të ndërtonim një nënkalim funksional dhe të standardeve të rrugëve nacionale”.

Gjithashtu u sistemua përroi duke eliminuar përgjithmonë daljen e ujërave në rrugë.

“Ky investim ka bërë të mundur shmangien e qarkullimit të mjeteve të rënda nga rrugët e brendshme të qytetit duke evituar ndotjen e ajrit dhe ndotjen akustike që ato shkaktonin. Punojmë çdo ditë që ta ndryshojmë qytetin tonë, ta bëjmë një qytet më të mirë ashtu si bashkëqytetarët tanë e meritojnë”, shprehet bashkia.

Në këtë nënkalim më parë kalonin vetëm mjete të vogla. Ndërhyrja në këtë pjesë ishte e domosdoshme për kalimin e të gjitha llojeve të mjeteve në këtë aks kombëtar, i cili shërben gjithashtu edhe për lidhjen e shumë fshatrave të bashkisë së Librazhdit.

Ky investim u krye në vazhdën e investimeve të qeverisë shqiptare në përmirësimin e infrastrukturës në bashkinë e Librazhdit. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.