Florian Vlashi, koncert me violinën e restauruar të mjeshtrit spanjoll

TIRANË, 8 prill/ATSH/-  Violinisti shqiptar Florian Vlashi interpretoi ditët e fundit në sallën e bashkisë të Santiago de Compostela, me violinën e kompozitorit spanjoll Andres Gaos.

Instrumenti i shekullit XVIII i kompozitorit të shquar iu besua artistit 55-vjeçar Florian Vlashi, pas një periudhe të gjatë restaurimi.

Koncerti u organizua me rastin e “2019 – Viti Andrés Gaos” që përkon me 60-vjetorin e vdekjes së tij dhe të krijimit të “Fondacionit Gaos” nga Këshilli i Kulturës Galiciane dhe Universiteti i qytetit Santiago e Kompostelës.

Ky universitet prestigjoz i vitit 1495 është nga më të vjetrit në botë. Florian Vlashi dhe pianisti Julio de Mourenza interpretuan vepra të autorit Andres Gaos Berea (1874 – 1959), i cili ka lindur dhe ka kaluar një pjesë të jetës në Korunja, qyteti ku violinisti shqiptar jeton dhe punon prej vitit 1992.

“Violina dukej e mrekullueshme në duart e Vlashit, të shoqëruar në mënyrë të shkëlqyeshme nga Julio Mourenza, në rikrijimin e shpirtit të Andres Gaos në tri veprat e tij të bukura dhe aspak të lehta”, –  shkruan në shtypin spanjoll “La opinión” kritiku Julio Andrades.

Andres Gaos është një nga personalitetet e kulturës hispano-amerikane, i njohur si kompozitor i shumë veprave të ndryshme, nga muzika simfonike, muzika e dhomës si dhe veprave për piano dhe vokale. Ai ishte pedagog i muzikës, violinist dhe menaxher kulturor në Spanjë dhe në Argjentinë. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.