Deputetë të Komisionit të Edukimit vizitojnë Akademinë e Sporteve

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Anëtarë të komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në kuadër të transparencës parlamentare për arsimin e lartë zhvilluan sot një vizitë pune në Akademinë e Sporteve.

Anëtarët e komisionit fillimisht inspektuan ambientet e Akademisë së Sporteve, ku u njohën me pjesën insfrastrukturore si edhe përmirësimin e kushteve të mëtejshme të cilat u konsideruan të nevojshme.

Më pas, rektori i kësaj Akademie, Agron Cuka, në një tryezë diskutimi bëri një përmbledhje historike të universitetit si edhe ecurinë e tij ndër vite. Ai foli për numrin e studentëve, kushtet në të cilat zhvillohet studimi si edhe praktika, kuotat e pranimit, tarifat, bursat e studimit etj.

Cuka u shpreh se hedhja e themeleve si një institucion i lartë nuk erdhi rastësisht. Ai ishte produkt i mendimit përparimtar, si dhe i kërkesave të ligjshme të intelektualëve, dashamirësve, të rinjve, që kuptonin rolin e ushtrimeve fizike dhe sporteve në jetën shoqërore si dhe ndjenin nevojën e organizimit të tyre në kushtet e një veprimtarie sistematike dhe me kërkesa profesionale.

Çështje të tjera diskutimi ishin mbi programet e studimit dhe të akreditimit, doktorantëve dhe docentëve etj.

Më tej, përfaqësuesit e Akademisë të Sporteve parashtruan shqetësimet e tyre sa i përket çështjeve të ndryshme për programet e studimit, masterat, licencat për administrator fitnesi etj., ku theksuan se këto të fundit duhen rregulluar me ligj.

Së fundmi, kryetarja e komisionit Milva Ekonomi falënderoi përfaqësuesit e Akademisë së Sporteve për gjithë prezantimin e bërë, si edhe premtoi një vizitë tjetër të ardhshme për t’i cekur gjërat më nga afër./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.