Kruja, ansambli historik që të kthen pas në kohë, sot destinacioni më i madh turistik

TIRANË, 6 prill/ATSH/- “Kultura si motor i zhvillimit ekonomik” është shprehja që të shkon në mendje, sa herë përmendim Krujën.

Çdo fundjavë e gjen qytetin historik me plot vizitorë vendas dhe të huaj. Nga të pakta qytete në Shqipëri, që të kthen 500 vite pas në kohë, sapo prek Pazarin e Vjetër, ku ende ruhet tradita më e bukur etnografike. Mbi kalldrëmin e qytetit, ndihesh si bashkëkohës i Gjergj Kastriotit, teksa shikon zejtarinë e trashëguar prej kohës arbërore, kur “Derexhiku” siç e thërrasin vendasit, nisi të ndërtohej.

Në rrugicën e ngushtë me gurë, gjallon puna artizanale, që zgjon kureshtjen e turistëve për të parë e për tu njohur me trashëgiminë etnografike, e cila ruhet plot fanatizëm nga krutanët. Qeleshja, puna në tezgjah, enët e punuara në bakër, Kalaja e Krujës e punuar në dru, antikuaret e rralla bëjnë që turistët të marrin një pjesë të historisë me vete.

Rruga e Derexhikut të çon deri në Kalanë e Krujës, në portën që i rezistoi tre rrethimeve më të mëdha osmane, e që sot është e hapur për mijëra vizitorë. Muzeu që “flet” për Skënderbeun, me mikpritjen e stafit tejet profesional, prek madhështinë e Heroit Kombëtar. Mbas dy muajve të parë të vitit 2019 që ishin të heshtur, muaji mars solli qindra turistë, ku vetëm në ditën e fundit, Kalaja u vizitua nga 1000 vizitorë.

Lama, drejtuesi i “Tours Albania & Balkans”, i cili po shoqëron një grup turistësh britanikë, tregon mbi përshtypjet që marrin turistët.

“Kruja ka një pamje dhe histori befasuese, që tregon krenarinë e një kombi. Habia e tyre është kur kuptojnë rëndësinë e Heroit tonë Kombëtar, si mbrojtës i qytetërimit europian dhe qëndresa e shqiptarëve bëri që Europa të merrte kohën që ti forconte portat ndaj forcave osmane”, tregon Lama. Ndër të tjera ai foli edhe për rëndësinë e Muzeut Etnografik, i cili plotëson ansamblin historik të Krujës, që kthehet në kujtimin më të veçantë që turistët marrin me vete.

Kalaja e Krujës, gjatë tre muajve të parë, ka pasur rreth 13.100 turistë, ku fluksin më të madh e kishte muaji mars, shifër që do të rritet në vazhdim, pasi ky qytet është në çdo guidë të vizitorëve. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.