Lajme të mira për Allegrin, rikuperohen Dybala, Mandzukiç dhe Spinazola

TIRANË, 5 prill/ATSH/-Lajme të mira për “Juventusin”. Dybala, Mandzukiç dhe Spinazola janë gati për krye-sfidën e javës së 31 të Seria A përballë “Milanit” që do të luhet të shtunën në orën 18:00’ në “Allianz Stadium” të Torinos.

Sipas asaj që raporton “Sportmediaset”, infermieria bardhezi është duke u boshatisur. Teksa Douglas Costa, Khedira dhe Cuadrado kanë nisur përgatitjet për tu ribërë pjesë e grupit dhe nga java tjetër, pra në përballjen e Ligës së Kampionëve ndaj “Ajax” do të jenë të disponueshëm për Allegrin, tekniku bardhezi ka marrë një lajm të shkëlqyer për tre futbollistët e tjerë, Dybala, Mandzukiç e Spinazola, që do janë të disponueshëm për sfidën e radhës ndaj kuqezinjve.

Mungesa të sigurta me “Milanin” janë Barzagli, Caceres dhe Ronaldo. Ky i fundit protagonist i suksesit në dy ndeshjet e luajtura më herët këtë sezon ndaj kuqezinjve, në “San Siro” të Milanos dhe në sfidën aziatike, të superkupës së Italisë. Të dyja ndeshjet e fituara nga “Juventus”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.